Botimi i fundit

Romani „Para Perëndimit“

Vëllimi poetik „Vargje me ngjyra“

Romani „Korriku i Pikëlluar“

Një vështrim historik për romanin

     Autori i romanit që keni në dorë,është munduar dhe ka bërë përpjekje të plotësojë mangësitë e kujtesës sonë kombëtare,e cila pasi nuk është shkruar në kohë,na ka mbetur më shumë si kujtesë nga tregimet dhe informatat që kanë lënë të parët tonë,e që kanë jetuar dhe kanë qenë prezent në kohën për të cilën autori flet.Edhe këto rrafshe të kujtesës,autori i ka vënë në shërbim të fakteve historike,duke përmbushur kështu një kërkesë elementare metodologjike të shkencës së historisë.Sepse pa studimin e fakteve dhe të burimeve historike,nuk mund të hartohet një vepër që mëton të jetë në nivelin e monografisë.

     Ai jo vetëm që e ka përmbushur këtë kërkesë por ia ka arritur qëllimit që të krijoi një kronikë të mirëfilltë të ngjarjeve që kanë qenë vendimtare,jo vetëm në jetën e familjes e fisit Limanhoxha të fshatit Zajaz,por dhe të kësaj pjese të popullit shqiptar që jeton në këta troje që nga lashtësia e hershme.Autori nuk është historian por shkrimtar e publicist dhe të dhënat që na i prezenton i ka bërë në mënyrë letrare e publicistike.

     Në secilin kapitull apo pjesë të romanit ka trajtuar çështje të cilat plotësojnë konceptin e përgjithshëm të autorëve e që kanë të bëjnë me afrimin e të dhënave historike,arkeologjike,onomastike,të gojëdhënave,por duke mos lënë anash as kujtesën popullore të brezave të ndryshëm të kësaj familje të madhe,të cilët rrjedhën e ngjarjeve të caktuara  historike e kanë shpjeguar sipas mbamendjes.

     Prandaj,autori duke folur për një lagje,për një familje,për një fis të Zajazit,e cila ngjarje varësisht nga rrethanat kohore dhe ngjarjet historike,herë rritet dhe shpërndahet nëpër gjithë Kërçovën por edhe jashta saj,herë del jashta kufinjëve të Zajazit e Kërçovës,si pasojë e plojës,dhunës dhe shkatërrimeve që kanë sjellë,sidomos Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore.Shihet se autori i romanit,ka qenë mirë i informuar për fisin,fshatin e tij,për një krahinë të tërë shqiptare në Maqedoninë Perëndimore,po edhe për një pjesë të tokave iliro-shqiptare,që nga koha e pushtimeve e këndej,ngase marrë në përgjithësi,i njejti fat që ka ndjekur familjen Limanhoxha,ishte edhe pjesë e fatit të të gjithë popullit shqiptar.Duke përcjellur me vëmendje tematiken,organizimin e lëndës që ka trajtuar autori në këtë roman,lexuesit i bëhet e qartë,jo vetëm një periudhë e caktuar historike,apo ngjarje e asaj periudhe,por edhe lashtësia e ekzistencës së popullit shqiptar të kësaj ane,qoftë përmes gojëdhënës popullore,qoftë përmes kujtesës së njerëzve.

      Të dhënat dhe informatat që i hasim në roman,edhe pse janë të shkruara nga një letrar e publicist,janë shumë të sakta dhe plotësisht përputhen me të dhënat e dokumentet që unë si historian i kam gjetur në arhivat e ndryshme si ajo,e Shkupit,Sofjes,Prishtinës,Tiranës e Beogradit,e sidomos përshkrimi i ngjarjes gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

      Duke sjellur të dhëna dhe fakte,qoftë për rezistencën dhe luftërat shqiptare,qoftë edhe për dhunën dhe maskatrat që ka ushtruar armiku ndaj shqiptarëve,romani zen një vend shumë të rëndësishëm në shpjegimin e ngjarjeve të asaj kohe,sepse në mënyrën më precize e artistike i sqaron dhe prezenton të gjitha ngjarjet.

       Një analizë shumë të ngjeshur autori u ka bërë ngjarjeve që lidhen me familjen Limanhoxha,angazhimi i kësaj familje në secilën ngjarje historike,edhe at’herë kur rrezikohej atdheu dhe pjesë të tij të grabitura nga ballkanasit.

     Ishte pra një shembull konkret i gatishmërisë së anëtarëve të kësaj familje të madhe,kur numron pjesëmarjen e tyre në luftimet kundër Sërbit të Parë e Sërbit të Dytë,Bullgarit të Parë e Bullgarit të Dytë,etj.

     Qoftë edhe nga ky fakt,del bindshëm e vërteta se si familja Limanhoxha por edhe të gjithë banorët e fshatit Zajaz gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikohen për lirinë e truallit që e kishin trashëgim nga gjyshërit e stërgjyshërit.

Dr.sc.Ilmi Veliu,historian dhe drejtor i Muzeut të Kërçovës.

Foto Historike nga Protagonistet e Romanit

Kreu i parë

1

Turma nuk i ngjante ndonjë tubimi apo kuvendi të mirëfilltë, sepse gjithë ata njerëz, nga molisja dhe lodhja e tepërt, qenë shtrirë e shpërndarë. Në fytyrat e tyre lexohej qartë dëshpërimi i shprehur nëpër ato labirinthe rrudhash me vija të thella e të zbehura. E shtrirë, turma vazhdonte të rritej në heshtje si një njollë e zezë e derdhur pa dashje në peizazhin pranveror. Çuditërisht nisi të harmonizohej, duke marrë formën e një gjysmë rrethi të disiplinuar. Rregullat dhe traditat kishin krijuar edukatën e ashpër të mirësjelljes. Të moshuarit uleshin në radhët e para, duke mos harruar të lënë të lirë hapësirën e nevojshme në qendër të gjysmërrethit. Aty ndodhej vendi i rezervuar për parinë e këtij fshati të shpërndarë në një sipërfaqe të gjerë.

Në zabelin e Zajazit do të mbahej kuvendi i burrave. Kuptohej kollaj se bëhej fjalë për një kuvend shumë të rëndësishëm, sepse filluan të vinin njerëz me kësula të bardha nga të gjitha anët. Të rinjtë e dinin vendin se ku duhej të qëndronin, dhe uleshin në radhët e fundit pa bërë zë, madje disa përfunduan nëpër shkurre e gropa të mbushura me barishte e ferra.

Rreshtat e parë lëvizën sërish kur burrat nisën të ngriheshin në këmbë. Mesi i boshatisur, i rezervuar për mysafirët, u zgjerua edhe më tepër. Paria e Zajazit i afrohej vendit të vet që udhëhiqej nga një burrë mesatar, pak i zeshkët, me një ecje të lehtë e të matur; dukej sikur kalëronte qetësisht. Në rrugën plot baltë qenë njollosur gati të gjithë nga pellgjet e gropat e shumta, por opingat prej lëkure të xha Rexhës ishin fingo, pa asnjë grimë baltë, pa folur për tirqet që i rrinin gjithnjë si bora. Ai sikur ecte në qiell e jo mbi tokë. Duket e tepruar kjo, por shpesh shikimet e njerëzve fiksoheshin nga çudia. Nuk gjeje një rrugë të pastër askund, sidomos në kohë shirash. Kjo shenjë unikate e dallonte plakun nga të tjerët. Ai fliste qetë, qeshte pa zë të lartë, fjala e tij tingëllonte ndryshe në çdo situatë. Ngushëllonte kur të gjithë ishin të trishtuar; jepte shpresë kur pllakoste varfëria dhe e keqja. Mençuria dhe maturia e tij ishte në zë kudo. Për xha Rexhën flitej edhe tej Zajazit e rrethit të Kërçovës. Në praninë e tij çdokush ndiehej si i bezdisur nga respekti që provonte, por nuk i largohej dot asaj fjale që buronte nga shpirti i tij. Pesha e çdo mendimi, në çaste gëzimi apo hidhërimi, ishte tejet e madhe.

  • – Hajde, Rexhë, se ty po të prisnim, – e përshëndeti më i moshuari.
  • – Nuk u nguta, o Sabri Dini, sepse ti ke boll burrëri e mençuri. E di që mund t’i presësh mysafirët edhe pa qenë unë, –u gjegj buzagaz xha Rexha.
  • – Faleminderit, o Rexhë, po pa ty sikur s’na ka lezet, –tha Sabri Dini, edhe ky buzagaz, dhe vazhdoi:
  • – Na ka ardhë lajmi se edhe Xhemë Simnica është rrugës.
  • – Mirësetëvijë! Zajazi e pret krahëhapur Xhemën dhe të gjithë burrat e krahinave shqiptare.

U ulën thuajse njëherësh të dy në një ndenjëse të improvizuar enkas me degë të buta thane të sapo gjelbëruara. Afër xha Rexhës u afrua Remziu dhe Mehmeti, djemtë e kushërinjve të tij. Edhe pse nga mosha më të rinj, nuk i ndaheshin në asnjë moment, sidomos në këto kohë të turbullta e të rrezikshme.

Italia fashiste, duke luajtur rolin e shpëtimtarit, ribashkoi kufijtë e pjesës më të madhe të Shqipërisë etnike.U realizu forma më e përshtatshme për t’i mbajtur nën kontroll shqiptarët. U hapën shkollat e para shqipe, të munguara në kohën e mbretërisë jugosllave. Xhandarmëria italiane përbëhej kryesisht nga shqiptarët etnikë, plus administrata e nënprefekturës. Pakica sllavo-maqedonase ose kalonte në pjesën ku qeveriste Bullgaria, ose e pakënaqur priste në heshtje momentin e fatit të saj.

Në Shqipëri kishte nisur formimi i grupeve të para të rinisë komuniste. Me gjithë “kujdesin” e treguar nga pushtuesi gjatë qeverisjes së maskuar, ftohtësia ndiehej thellë. I huaji mbetej i huaj. Xha Rexhën, parinë e Zajazit, por edhe atë të fshatrave të tjerë, përveҫ varfërisë i mundonte fati i këtyre trojeve, gjithmonë të tradhtuar, gjithmonë të masakruar nga bullgarët e serbët. Paria e menҫur fshatare e kuptonte se edhe Italia bënte llogaritë e veta. Mjegulla e së ardhmes, zbehte çdo siguri për shqiptarët.Alarmonte momenti, që kufijtë e Shqipërisë etnike të mbeteshin njëherë e mirë, aty ku i kish vendosur Zoti e natyra. Me një lëvizje të lehtë xha Rexha nxori kutinë e duhanit, dhe nisi t’i shihte me kujdes burrat që ishin mbledhur. Mungonin ata pa të cilët s’mund të kuvendohej, as të merrnin vendime të rëndësishme. Fshatarët buzëtharë nga varfëria, syvrejtur nga shqetësimi, e mbanin shikimin tek ai. Por, edhe ata prisnin që të mblidheshin të gjithë burrat me autoritet. Xha Rexha nxori llullën nga xhepi i vogël, një llullë qelibar, me ngjyrë të zbehur, në të cilën vuri cigaren e mbështjellur me duhan. Në çastin që e ndezi u dëgjuan zërat e një grupi jo të vogël që po afrohej. Nga ana tjetër, po ashtu, pati kollitje e zëra, gjë që tregonte se po mblidheshin shumë burra. Çdokush që afrohej, fillimisht përshëndeste më të moshuarit, Xha Rexhën e xha Sabriun, pjesën tjetër vetëm me dorën në zemër dhe me një përkulje të lehtë.

– Na thuaj diçka, Rexhë! – theu heshtjen Sabri Dini.

– Ç’ka me folë, o Sabri, kemi mbetë si jetimët, pa nanë e babë!

– Po, o Rexhë, por jetimët janë gjallë e diçka duhet të bëjnë.

– Skamja nuk pyet në je jetim apo jo. Jetim e pa shtëpi, jetim e i vdekur, kësaj ç’emër t’i vendosim? – foli me metaforë Sabri Dini. Xha Rexha, gjysmë i qeshur, tha:

– Eh, o Sabri, prandaj sot, shyqyr Zotit, mblidhemi e kuvendojmë! Vatani ka nevojë, gratë e fëmijët tanë presin prej nesh. Iku Serbia, erdhi Shqipëria; por, kjo Shqipëri më duket sikur qeveris nën hijen e Italisë. Më mirë se të lirë s’ka, o Sabri! Më mirë secili në tokën e vet, në hisen e vet…, – desh të shtonte edhe diçka, por dikush bërtiti:

– Ja, po vijnë, hapuni e bëni vend për mysafirët.

Aty për aty filloi një përzierje, meqë disa largoheshin. Rinia u bënte vend të moshuarëve, duke shtruar do degë e dërrasa si të pagdhendura. Remziu e Mehmeti, po ashtu, lëvizën nga vendi ku qenë ulur, sepse po vinin shumë veta nga Gostivari, Dibra e Struga, autoritete me emër. Mysafirët kishin mbërritur. Një nga burrat e Zajazit i priste në fshatin Kollarë. Grupimet shquheshin nga larg kur i afroheshin zabelit. Përpara ecnin nja dhjetë burra, e pas tyre disa të tjerë mbanin kuajt e lodhur që lëshonin gulçe me avuj nga rruga e largët. Ndërsa afroheshin, xha Rexha e xha Sabriu u dolën përpara. Pas tyre, shumë të tjerë u rreshtuan për t’i përshëndetur.

– Hajdeni, burra, urdhëroni, – dëgjohej zëri i Sabri Dinit, i cili qëndronte pas xha Rexhës. Zëri i tij i qetë e mikpritës tingëllonte ëmbël.

– Mirëseerdhët në Zajaz! – dhe i zgjati dorën Xhemë Hasës nga Simnica, i cili ia shtrëngoi fort. Më pas, duke u afruar, e morri ngrykë:

– Mirësejugjej, o mixha Rexhë! Pastaj, burri shtatlartë nga Gostivari, duke buëzqeshur, e preku sërish në krah plakun e urtë dhe u ul aty ku i bëri shenjë ai. Të gjithë u përshëndetën me njëri-tjetrin dhe u rehatuan duke krijuar një rreth të vogël, pastaj një rreth tjetër më të madh e në fund vinte turma.

Secili sipas emrit e autoritetit. Askush nuk pengoi kënd e as nuk zuri vendin e tjetrit. Dihej qartë se kujt i takonin vendet përkatëse. Fytyrat e të ardhurve dukeshin të lodhura nga udhëtimi, ndaj dhe rinia e Zajazit kishte përgatitur çaj mali të nxehtë. Jo shumë larg vendit të kuvendit qëndronin ndezur dy zjarre mbi të cilët gurgullonin valëshkul dy kusi me ujë, si dhe enë të tjera përreth për të qenë gati për qerasje.

– Ujë, burra, për ujë kemi nevojë, se në Kollarë na pritën e na gostitën, – tha Xhema.

– Epo fajin e ka Mefaili e Mazllam Selimi që s’na treguan se paskan përgatitur ushqim, – qeshi Sabri Dini dhe vazhdoi:

– Ne i njohim, o Xhemë, këta tanët, por ti na njih me shokët e tu, sepse me sa di unë vetem me Mefail Shehun njihesh, dhe e ke mik.

– Po, mixha Sabri, ke shumë të drejtë. Edhe mixhën Rexhë e kam parë njëherë në Gostivar.

Pastaj u gjunjëzu dhe nisi t’i paraqiste me gisht. Ata vetëm pohonin me krye e dorë në zemër. Sytë e tij shihnin herë xha Rexhën, herë Sabri Dinin e herë Mefail Shehun.

– Ky është Aqif Reçani, ai Llokman Llakavica, tjetri Kadri Salihu, pastaj Xhevat Kallajxhiu e Imer Sermanova. Nga Tetova thirra Arif Kapedanin e Gajur Derallën; nga Dibra Osman Piperkun, Sabri Maqellarën e Aziz Kaloshin, – pastaj mori frymë thellë e me gishtin tregues preku anën e majtë të mustaqeve dhe vazhdoi:

– Ja, kjo është shoqëria ime, o mixha Rexhë. Ata të Tetovës e të Dibrës nuk erdhën dot. Presim edhe pak, sepse më thanë se Mefaili i vogël po pret ata të Strugës.

Pa mbaruar Xhema, dikush bërtiti:

– Ja ku po vjen Mefaili vogël me tre veta.

Përsëri zhurmë e gjallëri. Tre burrave u printe Mefaili shtatshkurtër, i cili ia shtrëngoi dorën vetëm Xhemës dhe u ul në rrethin e dytë.

Xha Sabri, këta janë Demir Lena nga Aranjelli, Abib Kaleshi nga Tuhini dhe Nuredin Elezi nga Sërbica. Nazim Tateshi, Faik Dobovjani e Murat Llabunishta nuk erdhën.

Me kaq përfundoi Mefaili i vogël.

– Burra, qerasni miqtë e largët e ta hapim kuvendin, se koha ikën shpejt e ndonjë mbase ka hallin e kthimit. Por, ta dini se Zajazi ju bën konak edhe për të fjetur, – tha xha Rexha.

– Faleminderit, mixha Rexhë, por sa më shpejt të mbarojmë, aq më mirë për të gjithë. Unë për vete e di që Mefaili s’më lëshon, por ka njerëz që duhet të kthehen, – tha Xhema. Xha Rexha e thithi thellë llullën, lëvizi pak nga vendi, preku gjurin e majtë, u kollit lehtë dhe tha:

– Epo, edhe një herë: mirë se keni ardhë, burra!

Aty për aty ra një heshtje dhe sikur mezi po prisnin që xha Rexha ta rimerrte fjalën.

– Burra, – vazhdoi xha Rexha, – hallet dhe vatani na kanë mbledhur këtu në Zajaz, sepse po vjen një kohë e vështirë. Italia ka lëvizur kufijtë e Mbretërisë Jugosllave dhe po na thotë se jemi Shqipëri! Këtu, në këto treva jetojmë bashkë me sllavët. Arat tona ndahen nga vijat e ujit. Gjermania ka nisur luftë me të gjithë botën. Ne jemi në Shqipërinë tonë, por kjo Shqipëri është e okupuar. Nëse Italia e humb luftën, ne nuk e duam më tutelën e mbretërisë serbe. Varfëria e madhe na ka lodhur, por, mbi të gjitha, duhet të lidhim besën për të mbrojtur popullatën në çdo situatë.  Edhe nga Bullgaria jemi të rrezikuar, sepse e kemi afër kufirin. Nga ato anë na vijnë shpesh komitë e bashibuzukë për të na vjedhur bagëtinë. Mendoj se duhet të përgatitemi si shqiptarë, për të ruajtur kufijtë tanë e për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga i huaji!

– Unë mendoj se Italinë nuk e kemi hasëm, o xha Rexhë, pastaj shkollat i kemi në gjuhën shqipe e s’jemi të rrezikuar nga ata, sikurse nga bullgarët. Njëherë për njëherë, mendoj se Italia është e fortë, – ndërhyri Mefail Shehu. Pas tij nuk foli asnjë. Zëri i xha Rexhës u dëgjua sërish:

– Gjithandej kemi shumë probleme me komitë e me grabitës bullgarë. Jo vetëm natën, por edhe ditën vjedhin. Kanë filluar edhe me vrasje, sidomos ata që ruajnë bagëtitë nëpër stane janë në hall.

– Bullgarëve jo e jo, as serbëve e as këtyre maqedonasve tanë nuk ua kam dertin, por as italianëve, – tha Xhemë Hasa. Pastaj vazhdoi:

– Mua më intereson se kush më jep ndonjë të dhënë të re për grupet komuniste, që janë shfaqur kohëve të fundit në Tiranë e në disa qytete të tjera, por edhe këndej, sepse italianët kanë burgosur disa të rinj komunistë. Si është e mundur të ketë komunistë shqiptarë dhe komunistë shkije!? Këtë s’e kuptoj.

– Në Shqipëri, por edhe në Serbi janë të njëjtat grupime. Ata shkruajnë fjalë e parulla nëpër mure, shpërndajnë lloj-lloj materialesh duke kritikuar fashizmin, Italinë, e duke folur mirë e bukur për Rusinë, – tha Begzat Vuli.

Përsëri pllakosi heshtja, sikur të gjithë bluanin mendime të ndryshme, si të pakuptimta.

– Burra, unë mendoj se Gjermania, meqë hyri në luftë edhe me Rusinë, herët a vonë, do të humbasë. Madje Italia do kapitullojë shpejt. Ne duhet të lidhemi bashkë, të mos befasohemi as nga bullgarët, as nga serbët. Unë s’e di kush janë komunistët, por nëse i ndihmon Rusia, Amerika dhe Anglia, atëherë mund të kemi punë edhe me ta. Ne duhet të mbrojmë popullsinë tonë nga kushdo qoftë! Italia, o Mefail, na ka hapur shkolla, s’na ka bërë ndonjë të keqe, sepse as ne nuk i bëjmë keq asaj. Por, që është e huaj, s’do shumë mend. Italianët mendojnë më shumë për vendin e tyre sesa për vendin tonë, – tha xha Rexha.

Mefail Shehu, ose Mefaili i madh, siç e quanin vendësit, sikur u ndje në siklet:

– Unë, o xha Rexhë, jam me rrogë shtetërore dhe bëj punën time, por, nëse maqedonasit bëhen komunistë, me Rusinë, Amerikën apo Serbinë, atëherë dua më shumë italianët. Pak na kanë vrarë serbët e Jugosllavisë?! – përfundoi Mefaili.

– Edhe unë punoj për rrogë, – tha Xhema, dhe preku uniformën e gardianit të burgut, pastaj vazhdoi: – Në një takim, miku im Muharrem Bajraktari, burrë trim e i ditur, tha se Italia na e ka nënshtruar shumë keq kombin, ndaj dhe ai thoshte se ata janë pushtues.

– Kush na qenka ky, o burrë, o Xhemë Hasa? – pyeti një plak i ulur mes turmës.

– Ky është miku im nga Luma, ushtarak i shkolluar në Vjenë, me shumë poste të larta në qeverinë e mbretit Zog.

Xhema sikur donte të mbyllte me kaq për personin në fjalë, por plaku përsëri e ngacmoi:

– Po ku është tani ky njeri, o Xhemë, ndoshta mund të na ndihmojë, meqë qenka ushtarak e i mençur?

– Eh, or mixhë, – vazhdoi Xhema, – Muharrem Bajraktari, teksa ne kuvendojmë, me siguri që është duke luftuar diku në Lumë, Tropojë apo nëpër malësitë e Dibrës. Kur u prish me Zogun, ai kaloi kufirin, iku në mbretërinë jugosllave, por në vitin 1935 u rikthye dhe nxiti një revoltë popullore kundër Zogut. U dha urdhër për burgosjen e tij dhe, që të mos e zgjasim më shumë, o burra, Muharremi u largua sërish në Kosovë, ku u kap nga serbët. Sllavët i ofruan bashkëpunim, por ai nuk pranoi. Më pas iku në Francë. Kur Italia nisi pushtimin e Shqipërisë, ai u kthye në Lumë. Para se të kthehej, Musolini i pat premtuar personalisht një pozicion të lartë, por e refuzoi duke i thënë se i duhej të mendohej. Por, sapo u kthye, i çoi fjalë kryeministrit Shefqet Vërlaci, ku i thoshte se kishte dalë maleve për të luftuar për liri. Ai formoi çetën e vet me shumë vullnetarë, kryesisht nga Kukësi. Së bashku me Abaz Kupin dhe disa kolonelë anglezë organizoi tubime në Lurë e Peshkopi për kryengritje popullore kundër Italisë, por edhe kundër këtyre komunistëve, që gjithashtu kanë formuar grupe vullnetarësh e kanë marrë malet për luftë, – përfundoi Xhema duke marë frymë thellë.

Sërish qetësi, që thyhej herë pas here nga ndonjë kollitje. Xha Rexha u ngrit në këmbë:

– O burra, o vëllezër! Unë kam dëgjuar për Muharremin e Lumës, dhe atij hallall ia bëftë Zoti, sepse po e mbron me vendosmëri Lumën e tij nga pushtuesi! Burra, duhet të pranojmë se Italia nuk ka ardhur nga dashuria për ne, po për hesapin e vet. I shpalli luftë grekut dhe e humbi. Shqiptarët menduan të ndihmojnë grekun, por ai filloi të sillej edhe më pushtues se italiani kur iku ky i fundit. Një armik ikte, një tjetër vinte. Nga robëria e vjetër, drejt një robërie te re, derisa Gjermania e pushtoi rrufeshëm Greqinë, njësoj si me mbretërinë jugosllave. Pra, grekët e pësuan nga Gjermania, që gjithashtu sikur ia ruajti nderin Italisë pas disfatës.

Këtu jemi mbledhur njësoj si Muharrem Bajraktari, që të mbledhim vullnetarë, t’i mbrojmë njerëzit nga çdo e keqe e mundshme. A e kemi pyetur veten: po nëse e humb luftën edhe Gjermania,bashkë me Italinë?

Përsëri heshtje. Përsëri ca kollitje të thata.

– Unë mendoj se nuk mund të bëjë vaki kjo gjë, o mixha Rexhë. Le ta zëmë se italianët e humbin luftën, por nuk besoj se do fitojnë komunistët. Ndoshta rikthehet mbreti serb, ama komunistët nuk e besoj, – ndërhyri Aqif Reҫani.

– Eh, mixhës asgjë s’i dihet! – tha xha Rexha, dhe vazhdoi: – Për mua janë sërbët njësoj:si komunistë apo si ata të mbretit, – dhe u ul qetësisht.

– Unë mendoj që të mos ngutemi, o xha Rexhë. Në anët tona pothujase nuk ka gjurmë komunistësh shqiptarë, – tha Mefaili i madh.

– A kanë qenë komunistë apo jo, s’e di, por mua m’u përvëlua zemra kur italianët vranë Sabitin dhe Zaimin në Sërmnovë. Unë nuk i dua italianët, edhe pse punoj me rrogë si guardian burgu. Në maje të hundës më kanë ardhur. Shqiptarët duhet të bashkohen, dhe unë e përkrah mixhën Rexhë, se diçka duhet bërë, ashtu si Muharrem Bajraktari, – foli duke u skuqur e plot  emocion Xhemë Hasa.

Folën e dhanë mendime e propozime të ndryshme: disa ishin kontradiktorë, disa kërkonin një organizim të menjëhershëm, disa gjakftohtë heshtnin. U krijua një lloj parregullsie dhe kuvendi thuajse e humbi kuptimin nga kontradiktat dhe këndvështrimet e ndryshme. Por, kur dora e Xhevat Kallajxhiut u ngrit lart, të gjithë panë nga ai:

– O burra, veç dy fjalë dua të them. Unë e shikoj pak më ndryshe situatën. Në veçanti ana e Dibrës së vogël, çdo ditë që kalon bëhet edhe më e tensionuar. Pushka kërcet natë e ditë nëpër grykat e maleve tona nga vullnetarë partizanë, si e quajnë veten. Dëmtojnë ura e rrugë, këpusin telat e telefonit, sulmojnë  karabinerinë e shumë dëme të tjera. Njëfarë komandant Haxhi Lleshi ka marrë me vete në mal shumë djem të rinj, dhe paraqiten si komunistë e partizanë. Kanë parti e organe partiake: partia komuniste quhet, njësoj si ajo e Rusisë. Edhe në territoret e mbretërisë jugosllave janë formuar po të njëjtat parti. Partizanët e tyre u kanë shpallur luftë gjermanëve e italianëve, kudo ku ata ndodhen. Unë propozoj të formojmë vullnetarët tanë, sepse grupet komuniste kanë filluar të vllezërohen. Na kanë ra në dorë letra e pamflete me thirrje për bashkimin e tyre, ku, ndër të tjera, thuhet: rroftë partia komuniste, liri popullit, vdekje fashizmit, rroftë populli rus e shumë parulla tjera. Unë e shoh rrezikun pikërisht te këta, jo nga Italia. Por, nëse tërhiqet Italia, Gjermania s’besoj ta humbë luftën aq lehtë. Dhashtë Zoti, kurrë nën Serbi, o burra! Të gjithë e dimë se sa gjak shqiptari eshtë derdhur nga thikat dhe bajonetat serbe! – përfundoi me ton mallëngjyes Xhevati.

– Po nëse e humb luftën Italia e Gjermania, siç thotë xha Rexha? – pyeti imami i Dërgovës, mulla Veliu.

Meqë pati shumë pikëpyetje, vendosën që të takoheshin sërish, në varësi të zhvillimit të situatës.

Koha iku shpejt. Filloi një erë që paralajmëronte të ftohtin ose shiun. Xha Rexha dhe Sabri Dini kishin organizuar konakë për ata që do ta kalonin natën në Zajaz.

Ky ishte kuvendi i parë që kur mbretëria jugosllave u zëvendësua nga okupimi italian, që sidoqoftë solli ndryshim kufijsh dhe shkollat shqipe, por varfëria mbeti po ajo. Italia, po ashtu, mblidhte tagra për drithërat nga këta të varfër, dhe sillej mirë nëse gjente dëgjueshmëri e nënshtrim. Përndryshe, me raste, mund ta haje shumë lehtë plumbin, nëse e shihnin të “arsyeshme”. Shqiptarët e këtyre anëve nuk donin të përsëriteshin maskarat serbe të viteve pas largimit të Turqisë. Xha Rexhës ia masakruan babain Rushitin,dhe të dy vllezërit, Sefën dhe Muadinin, në xhaminë e fshatit. Komitët e Mikail Brodit dhe Gave Kapedanit nga Milinca, të përkrahur nga bullgarët, vranë shumë fshatarë. Në ato vite, kryeplaku i Zajazit Daut Limanhoxha, edhe ky kushëri i tij dhe babai i Mehmetit, i cili e shoqëronte gjithnjë xha Rexhën. Daut Limanhoxha, bashkë me bashkëfshtarët, u mundua të rezistonte e të shpëtonte, aq sa qe e mundur. Megjithatë bullgarët dogjën shumë shtëpi dhe masakruan 120 burra të fshatit në xhami, dhe më pas i vunë flakën. Pas këtij akti të shëmtuar, Daut Limanhoxha filloi të organizonte sërish rezistencën kundër bullgarëve e sllavëve vendës, por armiqtë dhe tradhtarët i përgatitën kurthin e likuidimit. Ai u gjet i vrarë bashkë me shokun e tij Ramiz Dinin, afër fshatit maqedonas Milincë. Asnjë nuk mori vesh se kush ua përgatiti këtë vrasje makabër, në mënyrë kaq tinzare. Edhe babai i nipit tjetër, që s’i ndahej asnjëherë Remziut, Abidin Murat Limanhoxha, u pushkatua nga serbët në Manastir, ngaqë kundërshtonte shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Kjo ishte propaganda serbe për spastrimin etnik.Këto vrasje dhe masakra kujtonte xha Rexha teksa largohej me nipat e tij nga kuvendi i burrave. Pasi u përshëndet me të gjithë, Mefaili i madh i tha:

– Do takohemi shpejt e do të flasim, o xha Rexhë; aty më ke pas dy ditësh, bashkë me Begzat Vulin.

– Urdhëroni, kur të doni, o Mefail, sepse koha nuk na pret. Më mundojnë shumë gjëra, por do të flasim, dhe inshalla na hapen sytë.

Sapo u largua plaku i Zajazit me dy nipat, imami i Dërgovës, Veli Hoxha, foli me zë:

– Mjaltë e ka gojën ky burrë. Shyqyr që e kemi! Vetëm hileqarët e të pafytyrët mundohen ta kundërshtojnë. Allahu e mbroftë!

– Limanhoxha është një familje e madhe, e penës dhe e pushkës, o mulla Veli. Dardha bie nën dardhë; ka pasur nga kush të dëgjon e mëson,  – tha Sabri Dini.

– Ashtu është, o Sabri. As topi nuk ta luan fjalën, – ia ktheu Veli Hoxha. – Të gjithë kanë qenë myderriza e hoxhallarë, patriotë e atdhetarë. Xha Rexha, përveç vëllezërve, mbeti keq kur vranë mulla Abidinin në Manastir; por edhe më keq mbeti kur bullgarët varën mulla Neshytin te ura e gurit në Shkup. Eh, kush ka qenë mulla Neshyti… Ai, o Sabri Dini, me 6 nëntor të vitit 1912, shtroi në Bukuresht një darkë për Ismail Qemalin, në shoqatën kërçovare, pak kohë para se të shpallte pavarësinë në Vlorë. Por, shumë i dituri mulla Neshyt Limanhoxha, punoi goxha për alfabetin e gjuhës tonë, duke marrë pjesë edhe në Kongresin e Manastirit.Mbante një kafene në rrugën 11 Juni, në Bukuresht, e cila qe shndërruar në një vatër mbledhjeje, sidomos për kërçovarët. Me shpenzimet e veta, ai porositi një numër abetaresh në shtypëshkronjë, duke i shpërndarë më vonë në viset tona të pushtuara, asokohe nga Bullgaria. Në vitin 1917 kapet nga agjentët bullgarë dhe burgoset po në Manastir, njësoj si vëllai i tij (mulla Abidini) para disa vitesh. Mulla Neshytin e ekzekutuan pa gjyq te ura e gurit në Shkup, me varje. Thuhet se e goditi me këmbë xhelatin, dhe u vetëvar duke thënë: “Kongresi i alfabetit u mbajt; abetaret tona shpërndahen nëpër shkollat shqipe; Shqipëria shpalli pavarësinë. Tani vdes i qetë!” Kjo është familja Limanhoxha,familja që kurrë s’e pranoi robërinë.

Me kaq e përfundoi rrëfimin Veli Dërgova, i rrethuar nga një grup fshatarësh që e dëgjonin me vëmendje.

Kështu përfundoi ky kuvend. Pjesë më e madhe qenë shpërndarë. Fshatarët e fundit pastruan sheshin e tubimit dhe hoqën drunjtë e ndenjëseve të improvizuara.

Zabeli i Zajazit mbeti i qetë, në shoqërinë e një ere të lehtë pranverore dhe shushurimës së gjetheve të sapo gjelbëruara. Xha Rexhës i duhej me patjetër ky kuvend për të trajtuar shumë dilema që e mundonin. Emri i Xhemë Hasë Simnicës gëzonte autoritet në mbarë krahinën e Pollogut, sepse fama e tij, që prej vitit 1935, u bë kryefjalë nëpër oda e tubime. Gjatë një provokimi që i pat bërë milicia serbe, duke mos duruar më, vrau një xhandar serb në mes të fshatit. Terrori serb tejkalonte çdo kufi. Pastaj u arratis drejt Shqipërisë, ku gjeti mirëkuptimin e qeverisë së mbretit Zog, duke i dhënë një copë toke në Elbasan për të ndërtuar shtëpinë. Pas shumë vuajtjesh, familja Hasa bashkohet në Shqipëri, pasi serbët deshën ta internonin në Turqi. Por, me ndihmën e disa shqiptarëve nga Selaniku, fatmirësisht arrin të shkojë në Elbasan. Xha Rexha e dinte fare mirë rolin që luajti nënprefekti i Gostivarit dhe shoku i tij i ngushtë, Xhevat Kallajxhiu. Me ndihmën e tij, pasi u kthye nga Elbasani, u punësua menjëherë si gardian burgu. Xhemë Hasa bëri emër edhe gjatë represionit grek në jug të Shqipërisë. Vullnetarisht, me dy vëllezërit e tij, mori pjesë në luftërat kundër grekëve për të mbrojtur popullsinë shqiptare. Xhema luftoi si luan. Trimëria e tij la gjurmë të pashlyeshme. Në një prej betejave qëllon që plagoset, por u mbijetoi plagëve të marra. Ja pse u dekorua nga ushtria shqiptare me 28 nëntor të 1937, me gradën e kapitenit të klasit të parë.

Romani vazhdon……. gjithësejt 411 faqe

Kush është i interesuar që ta lexon të plotë Romanin at’herë mundet ta bën porosin në e-mail: remzi.murati@remzi-murati.ch

Procedurja e Porositjes së Romanit:
– Emri Mbiemri
-Adresa
– Të dhënat për parapagim ua dorëzojmë pas porositjes me email (Të dhënat e Bankës)