Biografia ime « Remzi A Murati »!
Unë kam lindur në fshatin Zajaz të Kërçovës me 16 Shtator 1958. Ne një familje me traditë të hershme patriotike, fetare e intelektuale dhe shumë të dëgjuar në trevat jo vetëm të Kërçovës.E them këte, sepse Stërgjyshi im Abidin Murati-Limanhoxha, dallohet e njihet si Hoxhë-imam me respekt por dhe guximtar e trim, duke kundërshtuar në çdo formë propagandën sërbomadhe për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Për këtë veprimtari dënohet njëherë me burg në Manastir, pastaj me pushkatim nga Ushtria dhe Aparati shtetëror sërb që s’apo kishin pushtuar trevat shqiptare (1913). E njejta fatkeqësi e ndjek edhe vllaun e stërgjyshit mulla Neshyt Limanhoxha-Zajazi. Për shkak të veprimtarisë atdhetare në Bukuresht të Romanisë në kuadër të shoqatës Kërçovare, ku në fillim të Nëntorit 1912 organizojnë darkë për babain e pavarsisë Ismail Qemalin. Më vonë ndihmon dhe financon botimin dhe shpërndarjen e Abetareve nëpër trevat shqiptare. Këtë e bën me shumë vullnet dhe pasion, sepse si pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, ndjen nevojën që alfabeti e librat shqipe të përdoren nga rinia e populli shqiptar për të ruajtur identitetin kombëtar të rrezikuar. Ky aktivitet i mulla Neshytit shqetëson administratën shtetërore të Bullgarisë së shën Stefanit dhe kapet nga agjentët bullgar duke e varur te Ura e Gurit në Shkup (1917). Stërgjyshin tim mulla Abidinin e trashegojne dy djem; Imeri dhe Remziu (gjyshi im).Gjyshi im Remzi Murati-Liman hoxha (lindur ne vitin 1900), martohet me gjyshen time Zylfije Selimi (1900 v.) nga fshati Sërbicë. Nga kjo martesë lindin Abidini (1928-babai im) dhe Murati (1942). Vërehet diferenca jo e vogël në vite e babait tim dhe mixhës, sepse gjyshi Remzi që nga viti 1930 deri në vitin 1940 punon në Bukuresht dhe gadi një dekadë mungon në familje. Arsyeja e gjithë kësaj mungese, përveq punës së rëndë fizike, është edhe angazhimi i tij në Sindikatat e punëtorëve të Bukureshtit, por edhe në aktivitetet e rinisë komuniste të inspiruara nga Revolucioni i Tetorit në Rusi. Gjyshi Remzi njëherë kthehet në Bor të Sërbisë e më vonë i mallëzuar në familje. Por shpejt pas një viti (1941), Mbretëria Jugosllave, pra edhe trevat shqiptare nën pushtimin e kësaj mbretërie, pushtohen nga fashizmi gjerman dhe italian. Në kuadër të ndryshimit të kufijëve pjesa më e madhe e teritoreve shqiptare, pushtohet dhe administrohet nga Italia fashiste. Gjyshi im Remziu aktivizohet në celulat ilegale komuniste që filluan të organizohen kudo duke pregaditur popullin për luftën antifashiste të çlirimit të tokave shqiptare. Kjo intensifikohet edhe më tepër me ardhjen e Ymer Domit nga Kuksi si nënpunës sekretari në Zyrën e Rekrutimit-Kërçovë. Por ardhja e Ymer Domit (Luma), ndez flakadanin e lirisë kudo në këto treva. Si prijëtare familja e madhe Limanhoxha e shtrëngon e para këtë flakadan në krye me tribunin popullor të Zajazit, Rexhë Rushit Zajazi (Limanhoxha), i cili mendon se rreshtimi në anën e boshtit antifashist është vendimi më i drejtë,duke u arsyetuar se fashizmi heret apo vone do e humbase luften.Ndërkohë gjyshi Remzi, burgoset nga Italianët dhe vuan dënimin në burgun e Tiranës bashkë me shumë shokë tjerë. Burgoset edhe babai im Abidini (14 vjeçar) si femijë antifashisti.Ngjarjet e mevonshme detyrojnë Italinë fashiste të kapitullojë. Babai im ik nga burgu, ndërsa gjyshi im lirohet e kthehet në Kërçovë duke u bashkangjitur çetës së udhëhequr nga Ymer Domi. Aktiviteti i tij arrin kulminacionin kur bashkë me kushuririn Mehmet Mehmeti duke përkrahur xha Rexhën arrihet marrveshja me Ballin Kombëtar për t’u pajtuar dhe formuar Batalionin vendor të Kërçovës i cili në atë kohë është formacioni më i madh ushtarak në Maqedoni (i përbërë vetëm nga shqiptarët). Mefail Shehu, komandon Kompaninë e parë të Batalionit Vendor të Kërçovës. Kjo nuk zgjati shumë, sepse mosmarrëveshjet dhe ndarja ndodhi kur Balli Kombëtar rreshtohet përkrah ushtrisë gjermane nga presioni se këto teritore do t’i lëshohen Bullgarisë fashiste. Kërçova çlirohet e pushtohet shumë herë, duke u zhvilluar luftëra të rrepta me okupatorin fashist gjerman, deri në çlirimin përfundimtar në Nëntor 1944 të Kërçovës, si gadi të gjitha qytetet tjera me shumicë shqiptare të pjesës perendimore (Struga, Dibra, Gostivari, Tetova, Shkupi, Kumanova etj, ku brigada e IV sulmuese shqiptare, mbetet faktori vendimtar e kryesor. Në familjen Liman hoxha ka dhe viktima dhe të plagosur gjatë operacioneve luftarake (Imer Murati e Ahmet Mehmeti, vriten). Pas çlirimit tradhtohen marrëveshjet dhe fillojnë burgosjet e pushkatimet ndaj popullit shqiptar. Tribuni i popullit Rexhë Rushit Zajazi, kundështon dhe me çdo kusht kërkon ndërpritjen e dhunës nga pushteti tashmë i instaluar komunist sllavo-maqedon. Ai bashkë me nipin e tij Mehmet Mehmetin vriten pabesisht gjatë kthimit nga Shkupi, në fshatin Bukojçan (5 Korrik 1945). Paraprakisht burgosen e vriten edhe udhëhqës tjerë partizan si Hamdi Dema e Veli Dërgova. Vrasjet e burgosjet shqiptare vazhdojnë pa ndërprerë; Gjyshi im vritet 15 maj 1946, burgosen vllezërit Agolli, Qemali në Goli Otok, Nexhati më vonë vritet (1949), burgoset Sali Lisi, Xhafer Kodra e tjerë, deri në pushkatime të shumë luftarëve shqiptarë të luftës, (ballist apo partizan).Babai im Abidini mbeti në moshën 17 vjeçare (tashmë i martuar me nënën time Shefije Veliu, po nga fsh. Zajaz) mbeti pa krahun e të atit, dhe e priste jetë e mundimshme bashkë me gjyshen time Zylfijen, për të rritur vllaun e vogël Muratin,5 vjeçar.Edhe pse familje antifashiste dhe aktive në luftë, s’ka as punë as ndihma nga shteti, prandaj Babai im detyrohet të shkojë për te siguruar kafshatën e bukës deri në xeheroren e bakrit në Bor, të Sërbisë. Pas disa viteve pune ne xeherore kthehet në Zajaz duke u punësuar si sherbëtor në shkollën tetëvjeçare të Zajazit, Rexhë R.Zajazi.Ndërkohë mixha im Murati me përkrahjen e babait, vazhdon shkollimin me shumë sukses, duke vazhduar Fakultetin e Biologjisë në Shkup, ku diplomon si profesor dhe punsohet mësimdhënës në shkollën normale (më vonë gjimnazi) të Shkupit. Krahas mësimdhënjes mixha Murat vazhdon me specialimin e Botanikës dhe magjistron e doktoron ne Universitetin e Zagrebit. Njëkohëst ligjëron në Shkollën e lartë pedagogjike të Gjakovës. Me prishjen e kufijve shtetërorë Jugosllav, Ai vazhdon në Shkup, si Dekan i Fakultetit Pedagogjik. Tani është në pension.Babai im Abidini dhe nëna Shefije, kanë pasur 4 femijë. Dy vajza (Muradija dhe Remzija) dhe dy djem Ismeti dhe unë më i vogli ne familje. Babai ka qenë shumë i vetëdijshëm se pa shkollimin e shqiptarve s’mund të arrihet asgjë me emancipimin dhe përafrimit të barazisë me popullin maqedon. Prandaj ishte ndër të parët që theu akullin dhe motrat e mija vazhduan me shkollim në normalen e Shkupit, për të qenë ndër femrat e para arsimtare në rrethin e Kërçovës.Tani jetojnë dhe janë të martuara në Tearcë të Tetovës. Vllau i madh Ismeti diplomon Mjekësinë në Universitetin e Beogradit, dhe pas disa viteve mërgimi ne Bazel, kthehet sërish në Kërçovë si mjek me ambulancë private. Eshtë i martuar dhe ka dy djem.Unë pas përfundimit të shkollës fillore në fsh. Zajaz, vazhdova të mesmen
në shkollën Industriale të Gostivarit. Pas dy viteve bazuar në suksesin e shkëlqyeshëm, sipas rregullave të asaj kohe, hyra në paralelet maqedone për të përfunduar shkollën e mesme teknike drejtimi makineri. Por në vitin e tretë filluan dhe pengesat qe lanë gjurmë të thella në moshën time të re. Pa dashur (pa pritur reagim emocional) gjatë një ligjerate në orën e Historisë, kam kundërshtuar shkurt Prof. e Historisë i cili gjatë në ligjerate si nëpër hundë u shpreh se:-Gjergj Kastrioti-Skenderbeu është maqedon sepse edhe nënën (Vojsavën) e ka nga fshatrat e Rekës së Gostivarit,por Historiografia Shqiptare e shtrembëron si shqiptar.-Kjo nuk është e vërtete,-thashë po ashtu si nëpër hundë edhe unë.Ishim vetëm katër shqiptarë në klasë, dhe nuk u kuptu nga të gjithë kjo, sepse s’pati asnjë ndërprerje. Nuk u kuptu as nga shokët tjerë maqedon. Mësimi vijoi normalisht, por profesori i Historisë nuk e anashkaloi këtë reagim, sepse të nesërmen fshehtazi jam thirrur nga Drejtori i shkollës (maqedon) në pyetje, duke më dhënë vërejtje të ashpër se ky quhet nacionalizem dhe dënohet me ligj. Por as një javë nuk kaloi, gjatë një zënke si duket e organizuar dikush nga pas me tha;-Hajt ju Shqiptarët, shkoni dhe ikni në Shqipëri, çka kërkoni këtu!Përsëri gjaku i nxehtë rinor reagoi dhe i thash;-Po Ju pse nuk shkoni në Bullgari! Ndodhi kjo spontanisht, sërish pa rënë në sy, sepse ishte koha e pauzës. Unë s‘e kuptova kush ma tha këtë fjalë, pata shpinën e kthyer. Më erdhi shumë çudi kur kuptova se pas meje qëndronin dy maqedon nga nje klase tjeter.Ndodhi spontanisht por ende s’jam i sigurtë se ndodhi në atë formë spontane, sepse pas dy ditësh përsëri u thirra nga Drejtori i Shkollës. Nga ajo ditë gjithçka ndryshoi për mua, por nuk i thash askujt. Mendoja do kalojë dhe çdo gjë do vazhdojë normalisht. Nuk kaluan as dy javë duke pritur trenin (sepse udhëtoja me tren për çdo ditë), një civil dhe një polic me uniformë m‘u afruan dhe më kërkuan të hap çantën. Të nesërmen nga ora e mësimit më thirrën dhe prap në zyrën e Drejtorit dhe aty njoha civilin që më kontrolloi çantën. Më kërcënuan se jam i padisciplinuar, dhe paskam bërë diçka që përveç përjashtimit ka dhe konsekuenca tjera ligjore, por mosha e re ishte fati im, përndryshe dihet tha civili maqedon.E kuptova se jam në hall, sepse çdo profesor që na ligjeronte, akoma pa filluar, shikimin e mbanin te unë. Këtë e ndjeja, kjo me ngulfati dhe shpirtin, prandaj vendosa t’i hapem dikujt. Po kujt t’ja them, do më fajësojnë mua, do mërziten prindët! Në fund mbylla sytë dhe shkova në Shkup. Të gjitha i’a thash mixhës. Ai pas një jave më sygjeroi të vazhdoj deri në fund të vitit, sepse vitin tjetër do vazhdoj në tjetër shkollë. Me siguri u konsultua, apo bisedoi me dikend, gjë të cilën kurrë s’ma tha, dhe as që e kam pyetur, por e kuptova se duhet të shkoja si figurë në shkollë. E di se mixha fliste në telefon me dikend për mua dhe familjen tonë (e pata dëgjuar tinëz këtë bisedë). Herë shkoja në shkollë, herë mungoja, sepse patjetër që s’duhej të ndodhte asnjë incident. Më tepër mungoja, shkaku mos të më provokon dikush ose ndonjë organizim enkas. S’u besoja as shokve shqiptar që kishim qenë dy vite bashkë në paralelet shqipe. E di që dhe janë çuditur atë kohë sepse unë kisha qenë nxënës shembullor! Thjeshtë u vinte habi, por asnjëherë nuk e hapa këtë temë, duke pritur fundin e vitit. Isha dhe në provime, sepse gjatë mungesës asnjë hartim apo test s’kisha bërë. Përmbahesha, dhe me rëndësi ka qenë që Unë mos fjalosesha me askend, as mos flisja për këtë temë. Pas provimeve të kaluara në fund, s’me jepej fletëçregjistrimi, gjë që e bindi edhe mixhën se diçka kurdisej. Prandaj pa dokumenta të rregullt, shkuam në Kaçanik, që unë atje të vazhdoja shkollimin me rregullat autonome dhe ingerencat që atë kohë kishte Kosova. Më pranuan të ndjek mësimet i rregullt, por të notohem si i ç’rregullt, mungonte fleta e çregjistrimit nga Gostivari. Në Kaçanik filloi një jetë e re, që në mua la mbresa të pashlyera. Edhe pse jo të plota, ndryshimi dukej shumë i madh. Atje flitej aq sa flitej shqip, por për mua ishte ëndërr. Sa keq paskeshim qenë në Maqedoni, mendoja, burg, skëterrë, asgjë, popull veq që frymon. Për të parën herë u ndjeva shqiptar, për të parën herë edhe loti pikonte e sikur fliste shqip. E keqja s’kishte fund, por në jetë shfaqen edhe rrezet e dritës në qiellin me mjegull, papritur, por shfaqen.Në Janar 1978 vendosa të shkoj ushtar. Edhe ashtu pasi kisha qenë i çrregullt disa nga provimet e mbetura mund ti jepja edhe gjatë pushimeve të shërbimit ushtarak. Kjo edhe ndodhi sepse diplomova pasi m’u lejua të marr pushimin e rregullt. Unë gjatë vitit shkollor kisha treguar mjaft aftësi në mësime, por mbasi statusi im ndryshe, i bënte skeptik disa nga profesorët dhe dyshonin. Kishte të atillë që lokalizmi apo mbyllja në vete i bënte të tillë. Sidomos më kujtohen fjalët e një profesori të gjuhës kur më thonte se unë i kopjoj hartimet, dhe për këtë jam i aftë. Edhe pse i njejti profesor hasi në kundërshtime me kolegët e tij po të gjuhës shqipe. Dukej çuditshëm, Profesorët që s’më jepnin lendën, jo vetëm që më përkrahnin, por shumë më donin, sidomos kur fillova të aktivizohem në klubin letrar të shkollës, Poezitë e mija lexoheshin, i donin, më uronin të gjithë. Nuk i harroj Prof. Ramiz Kuqin (jeton me duket Norvegji), dhe tani Dëshmorin e kombit Prof.Mehdi Dalloshin. Nuk e harroj përkrahjen e sekretarit për arsim të komunës, Dr.Tefik Raka (edhe Ky tani Dëshmor), që shpesh më merrte në zyrën e tij nga respekti që kishte për mixhën Murat. Të gjitha u sqaruan dhe u rrumbullaksuan kur tema ime e diplomës u shpallë më e mira në shkollë, por si u shpreh Drejtori, prej kur funksionon kjo shkollë. Mirënjohje e madhe. Por kjo nuk ishte mirënjohja ose si me thënë shpërblimi i parë, sepse shpërblimin e parë e pata marrë që në klasën e shtatë fillore në një konkurs letrar ku u shpalla fitues. Nuk e harroj fytyrën e një arsimtareje maqedone, asaj i pengonte pse një shqiptar të shpallet fitues. Interesant është se shpërblimin e dytë e mora në kohën e rëndë e problematike në Gostivar. Me siguri s’kanë pasur ndikim te Komisioni i Konkursit, sepse jo vetëm që isha fitues, por pata dhe shpërblim të majm parash, që nuk ishin pak, sindomos për një nxënës. At’herë më kujtohet fytyra e Profesores së gjuhës maqedone, Dostanës, e cila u habit, u skuq, s’mund t’a besonte diçka të tillë.Që të mos largohem nga kjo pjesë e Kosovës të cilën fillova t’a njoh mirë, vendosa studimet t’i vazhdoj në Shkollën e lartë të Makinerisë, në Ferizaj. Në lëndët teknike isha mesatar, por më ndihmonte njohja e Matematikës dhe Semestret e para i përfundova, duke kapur kushtin për të vazhduar. Më kujtohet provimi i parë me notë maksimale 10(dhjetë),-sikur më mbolli flatra,e më motivoi-. Krijova rrethin tim, shoqërinë time dhe u bëra i gjithëanshëm. Kjo i bëri të më duan shokët duke më votuar gadi unanimisht për të parin e Stundentëve. Më kujtohet kundërkandidati im kishte vetëm tre vota. Ishte funksioni më i lartë për të prezentuar studentët ne çdo aktivitet e nevojë të tyre. U njoha me të gjithë profesorët, isha më i afërt. Kjo më ndihmoi të afrohem sidomos me prof e Fizikës, që e konsideronin të rreptë. Jo që nuk isha i pregaditur, por kur hyra me gojë, pas atij me shkrim-sikur vetë i zgjidhja pyetjet. Gjithçka filloi mirë në semestrin e rradhës(tretin).Them mirë sepse ate vit(maj 1980) vdiq kryetari i shtetit Tito,dhe askush se dinte atmosferën apo ndërhyrjet që mund të ndodhnin, por befasues ishin për mua Koncertet e Grupit të Shkodrës nëpër qendrat Kosovare. Jugosllavia në Zi, e Kosova këndonte. Ishte për të menduar mosreagimin sërb dhe aprovimin për t’u mbajtur koncertet. Mua m’u duk e çuditshme kjo, por ndoshta pak mendonin sikur unë. Na ishte mbushur koka me thënjen se; Pas Titos, s’ka Jugosllavi! Njëherë asgjë spo ndodhte, shteti funksionte, megjithate prapë vajtohej me të madhe për Titon. Koncertet e vjeshtës ishin syrpriza e vetme për logjikën time.Kaloi viti i pritjes dhe kurreshtjes, filloi viti i ndryshimeve, viti i mllefit shqiptar, viti i rinisë studentore. Kurrë se harroj 4 Marsin e vitit 1981. Në mëngjez sa hyra në derë më priste Profesori i Matematikës (por jo i degës sime). Ai ishte i zgjedhuri i Partisë.Jo se vdiste dikush për Partinë, por patjetër të funksiononte organizata partiake në çdo institucion, prandaj s’po e përmendi me emër, sepse di që funksionet partiake pranoheshin sa për sy e faqe.-A e di çka ndodh?-më pyeti.-Jo i thash, skam dëgjuar gjë.-Janë rrebeluar disa studentë-më tha-në Menzën Studentore, dhe janë duke protestuar. Ka ndërhyrë dhe policia.S’mu duk diçka e madhe me fillim. I thash-Ndoshta kanë të drejtë, sepse e di nga Konvikti, shpesh ka të njejtin ushqim tërë javën!-Nuk e di, por dua të jeshë në mbledhjen që do mbahet pasdite sot. Merri me vete dikend nga shokët që u beson.Po, po-I thash, atij-mirëpo askujt prej shokëve as që i’a përmenda mbledhjen.U befasova kur në sallën e mbledhjeve pashë kryetarin e komitetit komunal, njëfar malazezi-Gjurinac. Doli diçka e madhe kjo, e unë e mendoja fare asgjë sepse ushqimi mund te përmirsohet, dhe krejt do rregullohet. Bile kur u ktheva në banesë takova një shok nga Gjurakovci i Pejës.Ishte me moshë më i vjetër se ne, Më kujtohen fjalët e Ukës gjysmë humoristike;-Ja lujta nënën edhe këtij shteti,-qeshi ai.Qesha dhe unë, por Uka kishte një thellësi të veçantë në mendime, dhe më duket vetëm unë e kuptoja. Ai njeri ishte shumë vizionar i madh, rrallë herë gabonte, ose kurrë.-Filloi vallja-më tha-dhe kjo valle s’ka të ndalur. Do ketë viktima e do shkojë gjaku deri n’gjunjë por Kosova s’do ndalet. Mbaje mend këtë.-Seriozisht e ke Ukë?-e pyeta prapë.-Shumë seriozisht, dhe kam poashtu shumë arsye pse e them, ama do flasim përsëri.Kjo më bëri t’i mar gjërat ndryshe. Shkova në mbledhjen e pasditës, dhe askushi nuk foli asgjë, përveç Gjurinacit; Këtu kanë dorë armiqt e shtetit, armiqt e vllezërim-bashkimit.-e përfundoi fjalimin. I shikoja fytyrat e ngrysura të profesorëve.Pasi policia ne Prishtine kishte izoluar dhe burgosur disa studentë, situata u rëndua me 24 e 25 Mars me protesta gjithëpopullore. Atë ditë u brohorit, Kosova Republikë!Vallja e Ukës si e thoja ndër vete kështu vazhdoi, e do vazhdojë deri në pavarësinë e vitit 2008, por nuk do zgjatem sepse pasi që të hapet kjo faqe e imja dhe nese jam shëndoshë e mirë,do e vazhdoj në detale t’i shkruaj ngjarjet që me siguri mendoj e dua te zgjojnë interesimin tuaj.Në vitin 1984 mora nje vizë studentore, dhe fal një miku dhe komshiut tim më erdhi nga garancion tre mujor për Zvicër, por që unë e vazhdova deri ne dhjetor duke punuar.Pastaj ne Janar të vitit 1985 u martova me Nazlijen që e pata njohur në prill, para se të ik për Zvicër. Këtë vit nga jeta u nda gjyshja ime Zylfija, që shumë e kam dashur. U punësova në Xeheroren e Tajmishtit po këtë vit, dhe në Tetor lindi femija ynë i parë Armendi. Pasojnë vitet, deri kur unë marr garancion të plote për punë në Bazel dhe në Mars, filloj me punë në një firmë ndërtimtarie, lindi me 1992 vajza jonë Arbëra. Më 2015 martohet Armendi me Seldën, në 21Nëntor 2016 lindi nipi ynë Arioni, dashuria jonë e madhe. Për të gjitha këto vite, miqt e faqes sime do jenë të informuar sepse kanë ndodhur shumë momente të ndryshme.
Kam botuar këto vepra
Thikat e përgjakura 1999-vëllim me poezi
Zgjohu dhimbja ime 2004-vëllim me poezi
Arbëra 2004-vëllim me poezi
Alarm në Ndërgjegje 2012-vëllim me poezi
Realitet e Lutje 2014-roman
Korriku i Pikëlluar 2019-roman
Vazhdoj të jetoj në Bazel. Nga materialet e shkruara më parë shpresoj të botohet vitin që vjen një vëllim me poezi dhe një roman me tematikë kurbeti e mërgimi, duke shprehur ndjenjen dhe emocionet shpresës, dhimbjes, mallit e dashurise, të protagonistëve kryesor.
Ne muajin Nentor 2020 dolen nga shtypi vellimi me poezi ,,Vargje me Ngjyra,, dhe romani i rradhes,,Para Perendimit,,.Per shkak te pandemise e cila kaploi boten qe nga fillimi i vitit 2020,nuk munda te bej promovimin e planifikuar te ketyre veprave.Deri tani akoma skam mundur te gjeje perkthyes te gjuhes gjermane per romanin tim.Pas shume kontakteve u vertetova se eshte veshtire te gjeje perkthyes shqip-gjermanisht,sepse nga gjuha gjermane ne shqip kam kontaktuar me disa.Vone kuptova kete diference,prandaj patjeter duhet te kerkoj ndonje albanolog gjerman.Kam dy adresa ne duar,por e di qe kushton shtrejt,prandaj patjeter te kerkoj mjete dhe mundesi per te ma financuar.Pandemia e Corona virusit,i dyfishon veshtiresite,por shpresoj se do shfaqet shansa e shumepritur.Marsi i vitit 2021 me ka gjetur ulur mbi Pc,duke shkruar vazhdimin e ngjarjes me titull te ri,,Pas Perendimit,,.